Marrëveshja për energjinë
Marrëveshja brenda kornizës së dialogut teknik
Data e nënshkrimit: 8 shtator 2013
Statusi i marrëveshjes:
Filloi zbatimi i pikave të rëna dakord të këtyre dokumenteve
Palët/delegacionet
Ivica Daçiq
Kryeministër i Serbisë
Ketrin Eshton
Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së
Hashim Thaçi
Kryeministër i Kosovës*
Zyrtarët
Tomisllav Nikoliq
President i Serbisë
Ivica Daçiq
Kryeministër i Serbisë
Atifete Jahjaga
Presidente e Kosovës*
Hashim Thaçi
Kryeministër i Kosovës*
Historiku:
Serbia mbajti kontrollin e infrastrukturës energjetike të Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike) ishte pjesë e bllokut të kontrollit të SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut), koordinuar nga Operatori i Rrjetit Elektrik Serb (EMS).
KOSTT nuk ishte njohur nga ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike) kështu që nuk mund të funksiononte në mënyrë të pavarur ose të mblidhte të hyra nga tarifat e transmetimit të energjisë elektrike përmes Kosovës, në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe Evropiane për energjinë dhe bashkëpunimin e shteteve në fushën e transmetimit të energjisë.
Në katër komuna në veri të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq), energjia elektrike furnizohet nga EPS Elektrokosmet, një kompani shtetërore serbe. Edhe pse kjo kompani ka regjistruar konsumin e energjisë elektrike në familje që nga viti 1999, konsumi nuk u ngarkohet konsumatorëve.
Kosova ka theksuar se humbet 11 milion euro në vit si rezultat.
Me Marrëveshjen për energjinë, EMS mori përsipër të mbështesë KOSTT për t’u bërë një zonë e veçantë e kontrollit dhe një anëtar i ENTSO-E, dhe ky detyrim u konfirmua në Konkluzionet mbi zbatimin e Marrëveshjes për energjinë të nënshkruar nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në gusht 2015.
Nga ana tjetër, Kosova është zotuar të lehtësojë krijimin e dy kompanive energjetike serbe në Kosovë – “EPS Trgovina”, e cila do të tregtonte me energji elektrike dhe “Elektrosever”, e cila do të furnizonte dhe shpërndante shërbime (siç janë lëshimi dhe mbledhja e faturave), mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj).
Më 10 dhjetor 2015, KOSTT dhe 29 anëtarë të ENTSO-E nënshkruan një marrëveshje interkoneksioni e cila parashikon që KOSTT të bëhet një zonë e pavarur rregullatore, e ndarë nga EMS. Kosovës më parë iu kërkua të lëshojë licencë për Elektrosever për të vepruar në komunat veriore.
Regjistrimi i ndërmarrjes është bërë një pengesë në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Kompania aplikoi për regjistrim katër herë në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës (ARBK), por aplikimi u refuzua sepse statuti i kompanisë nuk sqaronte që kompania do të funksiononte në Kosovë.
Për Kosovën, kjo marrëveshje nuk u zbatua për shkak të refuzimit të Serbisë për të regjistruar kompaninë në përputhje me rregulloret e Kosovës. Serbia e kushtëzoi anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-E me krijimin dhe funksionimin e ndërmarrjes ElektroSever.
KOSTT u tërhoq nga zona rregulluese SMM e Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, e menaxhuar nga “Elektromreza Srbije” (Elektrorrjeti i Serbisë) (EMS) dhe nënshkroi një marrëveshje me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) të Shqipërisë për të formuar një bllok të ri rregullator Kosovë-Shqipëri. Marrëveshja për formimin e këtij blloku u nënshkrua më 2 dhjetor 2019.
Në prill të vitit 2020, Grupi Rajonal për Evropën Kontinentale (një nga pesë zonat e sinkronizuara ENTSO-E) votoi në favor të një marrëveshje të re të pranimit midis KOSTT dhe ENTSO-E.
Dy muaj më vonë, më 30 qershor 2020, KOSTT nënshkroi një marrëveshje me ENTSO-E, e cila i dha Kosovës pavarësi dhe sovranitet të energjisë elektrike në rrjetin e saj elektrik.
Në takimin e mbajtur më 1 dhjetor 2020, RGCE (Grupi Rajonal për Evropën Kontinentale) ra dakord që fillimi i punës së KOSTT si një zonë rregullatore brenda bllokut rregullator Shqipëri-Kosovë, pra fillimi i zbatimit të marrëveshjes së lidhjes midis KOSTT dhe ENTSO do të fillojë në 14 dhjetor 2020.